Gjocaj proteston para Kuvendit: Kosova të lidhet me gazin amerikan dhe të shfuqizohet Ligji për shtetësinë
Aktivisti Shpend Gjocaj ka protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që vendi të lidhet me gazin amerikan dhe të shfuqizohet Ligji për shtetësinë, të cilin ai e cilësoi si ligj për “serbizimin” e Kosovës.
Para mediave, Gjocaj ka thënë se shpreson që deputetët ta kenë parasysh rrezikun që, sipas tij, i kanoset Kosovës nga vendimet që marrin.
Ai ka deklaruar se kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara është i dëmshëm për Kosovën dhe ka theksuar se siguria energjetike është pjesë e sigurisë kombëtare.
“Një politikan që është kundër Amerikës është kundër kombit e kundër shtetit. Siguria energjetike është siguri kombëtare. Ne nuk kemi siguri energjetike. Konsideroj që lidhja e Kosovës me gazin amerikan është jetike”, ka thënë Gjocaj.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mbështesin lidhjen e Kosovës me gazin amerikan dhe të shfuqizojnë Ligjin për shtetësinë, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, qytetarët do të reagojnë.



