Lëvizja Revolta proteston para Kuvendit, kërkon shfuqizimin e Ligjit për shtetësinë

06 gusht 2026 | 10:46

Lëvizja Revolta ka protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar dhënien e shtetësisë së Kosovës për shtetas serbë që, sipas saj, nuk kanë lidhje me vendin.

Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje kanë kërkuar transparencë nga Ministria e Punëve të Brendshme për numrin e personave që kanë përfituar shtetësinë, shfuqizimin e Ligjit për shtetësinë dhe ndryshimin e nenit 155 të Kushtetutës, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Revolta, Rilind Kuçi, ka deklaruar se fillimisht kanë kërkuar nga MPB-ja të publikojë numrin e shtetasve serbë që kanë aplikuar për shtetësi që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, por, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

Ai ka bërë me dije se Lëvizja Revolta i ka paraqitur deputetëve tri kërkesa: publikimin e numrit të saktë të shtetasve serbë që kanë fituar shtetësinë e Kosovës sipas ligjit të ri, shfuqizimin e Ligjit për shtetësinë dhe shfuqizimin e nenit 155 të Kushtetutës.

Kuçi ka theksuar se përgjegjësia për këto çështje tashmë u takon deputetëve të rinj, duke paralajmëruar protesta të tjera nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës po marrin pjesë…