Hasani: Pas betimit të Haxhiut si deputete, Kosova ka mbetur pa president – Kuvendi duhet të zgjedhë fillimisht shefin e shtetit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se pas betimit të Albulena Haxhiut si deputete e Kuvendit të Kosovës, vendi ka mbetur pa ushtrues detyre të presidentit.
Hasani ka thënë se Avni Dehari, si kryesues i seancës konstituive, nuk mund ta ushtrojë këtë funksion, ndërsa me betimin e Haxhiut si deputete ka përfunduar edhe ushtrimi i detyrës së saj si u.d. e presidentes.
“Avnia është kryesues. Ai nuk mund të jetë ushtrues detyre i presidentit. Me situatën e sotme nuk ka më ushtrues detyre të Presidentit sepse Albulena dha betimin për deputet të Kuvendit. Pra, Republika e Kosovës aktualisht është pa President të Republikës”, ka thënë Hasani për “Express”.
Sipas tij, pas konstituimit të plotë të Kuvendit, deputetët duhet të procedojnë fillimisht me zgjedhjen e presidentit dhe jo me formimin e qeverisë.
“Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e Presidentit jo vetëm për shkak të asaj që ndodhi sot, por sepse e ka detyrim kushtetues zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Hasani.
Ai është thirrur në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se aty është sqaruar se në rastet kur vendi mbetet pa president, së pari duhet të zgjidhet kreu i shtetit dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e organeve të tjera.
“Siç dihet tashmë, paragrafi 162 i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shpall tërësisht i pavlefshëm dhe jokushtetues dekreti i zonjës Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, e ka bërë të qartë se, kurdo që vendi nuk ka President, së pari duhet të zgjidhet Presidenti dhe vetëm më pas të procedohet me zgjedhjen e organeve të tjera”, ka thënë ai.
Hasani ka kritikuar edhe qasjen e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
“Përveç kësaj, më lejoni të them se zoti Kurti duhet ta dijë që aktgjykimi i parafundit i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar se Kuvendi duhet të mblidhet dhe të konstituohet brenda afatit tridhjetëditor nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Mirëpo, tashmë është e qartë se Kurti vazhdimisht e interpreton Kushtetutën në mënyrë abuzive”, ka përfunduar Hasani.



