IKD-ja: Ndërprerja e seancës konstituive cenon Kushtetutën dhe nuk mund të arsyetohet me mungesën e marrëveshjes politike

06 gusht 2026 | 12:50

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij.

Në reagimin e IKD-së është thënë se mungesa e një marrëveshjeje politike mes partive nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues.

Sipas reagimit, seanca ka nisur në përputhje me rendin e përcaktuar, ku është verifikuar kuorumi, deputetët kanë dhënë betimin dhe është miratuar raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.

Në reagimin e IKD-së është thënë se pikërisht kur Kuvendi duhej të vazhdonte me zgjedhjen e organeve të tij, procedura konstituive është shndërruar në hapësirë për deklarime politike dhe negociata për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

“Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive”, është thënë në reagimin e IKD-së.

IKD ka rikujtuar se, sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat, duke theksuar se kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzime të konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera.

Në reagimin e IKD-së është thënë se zgjedhja e presidentit është proces me rëndësi të veçantë kushtetuese, por ai përbën një proces të ndarë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit.

“Negociatat politike mund dhe duhet të zhvillohen jashtë seancës, pa e marrë peng institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Sipas IKD-së, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh, duke theksuar se ky afat nuk është orientues, por detyrim kushtetues.

Në reagimin e IKD-së është theksuar se mungesa e një sanksioni të përcaktuar për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon mundësi për shkeljen e Kushtetutës.

“Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues, cenim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të një praktike të rrezikshme të bllokimit të institucioneve”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Në fund, IKD ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë,…