Kurti: Kur të kemi marrëveshje me partitë, do ta vazhdojmë seancën
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se seanca konstituive e Kuvendit mund të vazhdojë sapo të arrihet një marrëveshje me partitë e tjera politike.
Kurti ka thënë se synimi i tij është arritja e një dakordimi përmes dialogut konstruktiv, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Kur ta kemi një marrëveshje, do ta vazhdojmë seancën. Do të bëjmë çdo gjë për të eliminuar zgjedhjet e dëmshme për qytetarët dhe buxhetin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai u ka uruar punë të mbarë deputetëve të legjislaturës së 11-të, duke shprehur shpresën që kjo legjislaturë të mos ndërpritet me zgjedhje të reja.
“Ju dëshiroj 120 deputetëve punë të mbarë e suksese me një legjislaturë e cila nuk do duhej të ndërpritej me zgjedhje të reja”, ka thënë ai.
Kurti ka falënderuar edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun, për atmosferën gjatë takimeve të zhvilluara, ndërsa ka bërë të ditur se është i interesuar të vazhdojë bisedimet me LDK-në.
“E falënderoj në veçanti Hamzën e Abdixhikun për atmosferën në takime ku kemi ndarë bashkë sfidat që i ka shteti ynë përpara. Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin me LDK-në dhe i bëj thirrje Ardian Gjinit që të takohemi e bisedojmë”, ka deklaruar Kurti.



