Molliqaj: Kurti e ka marrë peng Kuvendin, protestat popullore janë e vetmja rrugëdalje
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mbajnë peng institucionet e vendit.
Përmes një videoje të publikuar në “Facebook”, Molliqaj ka deklaruar se Kurti po e shantazhon opozitën dhe po tenton ta zvarrisë procesin politik.
“Albin Kurti e mori peng sërish Kuvendin dhe krejt institucionet. Po e shantazhon opozitën, ja marrëveshje qysh du, kur du unë, ose zgjedhje kur du unë. E ai po dëshiron me i shty zgjedhjet për dhjetor”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka kritikuar edhe partitë opozitare për pranimin e takimeve me Kurtin, duke vlerësuar se një qasje e tillë është e gabuar.
“Takimet e opozitës me Kurtin janë gabim. Tash ka vetëm një rrugëdalje. Duhet me ftu popullin e Kosovës, kundër marrjes peng të institucioneve nga partia në pushtet. Këta veç demokrat nuk janë. Bashkëpunimi me ta është me i shërby autoritarëve. Vendi duhet me u ballafaqu me protesta qytetare”, ka deklaruar ai.



