Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit, LV-ja nuk propozon kandidat për kryeparlamentar

06 gusht 2026 | 11:45

Është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka propozuar kandidat për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Pas dhënies së betimit nga deputetët e legjislaturës së 11-të dhe përfundimit të pikave paraprake të rendit të ditës, seanca është ndërprerë pa u proceduar me zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh parlamentar, pritej të propozonte kandidatin për drejtimin e Kuvendit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, ka kërkuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që të shtyhet vazhdimi i seancës, me qëllim që t’u jepet hapësirë partive politike për gjetjen e një kompromisi për zgjedhjen e presidentit.

Ndërprerja e seancës vjen në kohën kur po vazhdojnë negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

LDK-ja është deklaruar më herët se nuk është e interesuar për postin e kryetarit të Kuvendit, por synon pozitën e presidentit të vendit në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e…