Oferta e Kurtit për Abdixhikun: Zëvendëskryeministrin dhe disa ministri
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se i ka ofruar LDK-së pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri në kuadër të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.
Kurti ka deklaruar se oferta është në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve dhe synon ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.
“Kemi ofruar pozitën e zëvendëskryeministrit me disa ministri. E di që kohëve të fundit është përdorur togfjalëshi ‘balancë demokratike’, por brenda sistemit tonë kemi balancë demokratike dhe kemi një zonë zgjedhore. Ne ofrojmë, në përputhje me rezultatin, ta ndajmë përgjegjësinë me resorë ministrorë në ekzekutiv”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, kjo është një ofertë serioze për bashkëqeverisje, që pasqyron vullnetin e shprehur nga qytetarët në zgjedhje.
Duke komentuar kërkesën e LDK-së për pozitën e presidentit, Kurti ka thënë se kjo parti nuk i ka as 30 vota për ta propozuar kandidatin në Kuvend.



