UEFA zyrtarizon dy rregulla të reja që prekin të gjitha garat evropiane
UEFA ka miratuar dy ndryshime të rëndësishme në rregulloren e saj, të cilat do të zbatohen duke filluar nga sezoni 2026/27 në të gjitha kompeticionet evropiane për klube. Një nga ndryshimet prek sistemin e kartonëve të verdhë. Sipas rregullit të ri, një futbollist do të pezullohet pasi të grumbullojë katër kartonë të verdhë, në vend të tre, siç parashikohej deri më tani.
Pas këtij pezullimi të parë, çdo pezullim i radhës do të vijë pas çdo dy kartonëve të tjerë të verdhë, pra pas kartonit të gjashtë, të tetë dhe në të njëjtën mënyrë edhe më tej. Ndryshimi tjetër lidhet me paraqitjen e kohës në stadium.
UEFA ka vendosur të heqë praktikën e ndalimit të kronometrit në minutat 45:00 dhe 90:00. Me hyrjen në fuqi të rregullit të ri, ora zyrtare do të vazhdojë të numërojë edhe gjatë kohës shtesë, duke shfaqur minutat shtesë në kohë reale, një sistem që përdoret prej kohësh në futbollin anglez.
Sipas UEFA-s, këto risi synojnë ta bëjnë zhvillimin e ndeshjeve më të qartë dhe më transparent, duke përmirësuar njëkohësisht funksionimin e garave evropiane për lojtarët, klubet dhe tifozët.



