Donjeta Sadiku dërrmon kundërshtaren ruse
Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e saj në Kampionatin Evropian të boksit “Sofje 2026”.
Sadiku ka mposhtur bindshëm kundërshtaren e saj ruse, Alina Pushkar, me rezultat 5:0.
Në duelin e zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, Sadiku ka qenë superiore gjatë të tri raundeve, duke treguar qetësi, saktësi dhe kontroll të plotë të përballjes.
Kosovarja e ka rritur presionin në raundin e dytë, kur ka arritur ta rrëzojë Pushkarin, duke konfirmuar epërsinë e saj në ring.
Pas përfundimit të tri raundeve, të pesë gjyqtarët kanë votuar në favor të Sadikut, duke i dhënë fitoren e pastër me rezultat 5:0.
Sadiku garon në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe me këtë fitore ka siguruar kalimin në fazën tjetër të Kampionatit Evropian.
Boksierja kosovare tashmë e pret përballja e radhës, me synimin për të vazhduar rrugëtimin drejt medaljes.



