Vetëvendosje kryen shkelje të rëndë kushtetuese

07 gusht 2026 | 20:01

Lëvizja Vetëvendosje ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese, duke e thirrur seancën konstituive për të shtunën në ora 11:00, pas afatit që përfundon sonte në mesnatë.

Nacionale ka siguruar ftesën që u është nisur deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me seancën.

E njëjta, mban mbishkrimin e Avni Deharit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Seanca konstituive e Kuvendit, filluar më 06.08.2026 i vazhdon punimet të shtunën më 08.08.2026 në orën 11:00, në sallën e seancave plenare. Ftohen të gjithë deputetët”, thuhet në ftesën e Deharit.

Ky i fundit, ndërpreu seancën e parë me kërkesë të shefit të tij në këtë parti, Albin Kurti, nën pretendimin se kanë nevojë për më shumë bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se caktimi i seancës konstituive për të shtunën, më 8 korrik, është shkelje e drejtpërdrejt e Kushtetutës.

Ai në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se Dehari e ka pasur obligim thirrjen e seancës për sot.

“Caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues.

Kryesuesi Avni Dehari ka pasur obligim ta thërriste vazhdimin sot, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës deri në orën 23:59. Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues.

Dehari, përmes caktimit të vazhdimit pas afatit, dhe LVV-ja, përmes mosushtrimit brenda afatit 30-ditor të së drejtës ekskluzive të propozimit, ua kanë pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese”, ka shkruar ai.

Cakolli ka shtuar se ky vendim dhe krejt kjo sjellje, është shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, ai ka shtuar se së paku 10 deputetë, duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese pas mesnatës që të kontestohet ky vendim.

“Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00”, ka thënë ai.

Para mediave, Kurti derisa njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje politike me LDK-në pretendoi se Avni Dehari vendos për seancën konstituive, ani se ajo e para një ditë u ndërpre pas kërkesës së tij.

Mes tjerash, ai deklaroi pasdite do të kuptohet kur mbahet vazhdimi i seancës.

“Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur dje, kur vazhdon vendos kryesuesi i seancës. Unë nuk jam takuar sot me kryesuesin e seancës dhe nuk e kam ndërmend të takohem me kryesin e seancës, sepse kam shumë punë si kryeministër në detyrë…Në këto orët e pasditës do ta kuptoni a do të thirret vazhdimi i seancës dhe kur”, tha deputeti i VV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi seanca konstituive e Kuvendit u caktua për nesër në…