Zvarritja e konstituimit të Kuvendit, Jashari: Durimi i qytetarëve nuk mund të merret si i pakufishëm
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me vonesat në konstituimin e Kuvendit.
Ajo ka thënë se vonesat dhe mungesa e seriozitetit për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale janë thellësisht shqetësuese.
Jashari ka shkruar në “Facebook” se durimi i qytetarëve nuk mund të merret si i pakufishëm.
“Orët e fundit për ta konstituuar Kuvendin kanë filluar. Vonesat dhe mungesa e seriozitetit për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale janë thellësisht shqetësuese. Durimi i qytetarëve nuk mund të merret si i pakufishëm. Prandaj, bëj thirrje që sa më shpejt të reflektohet dhe mbi çdo interes tjetër të vendoset interesi i shtetit. Në thelb, edhe nëse partitë politike nuk kanë shumëçka tjetër të përbashkët, duhet të kenë një interes të përbashkët: Kosovën”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kosova ka nevojë për bashkëpunim.
“Ai që ecën vetëm, nuk i shërben askujt. Kosova ka nevojë për bashkëpunim, përgjegjësi dhe vullnet politik për të tejkaluar këtë ngërç institucional. Rreziku është që këto skenarë të përsëriten dhe kjo të bëhet një nga dobësitë tona më të mëdha politike, ndërsa qytetarëve t’u servohet vetëm zhgënjim dhe zemërim. Qytetarët janë të ngopur me arsyetime. Atyre u duhen institucione, përgjegjësi dhe shpresë”, ka shkruar ajo.



