Ku ndodhet gjenerali Ante Gotovina dhe çfarë po bën ai 31 vjet pas Operacionit “Stuhia”?

08 gusht 2026 | 09:10

Nga Julija Bačić Barać, 5 gusht 2026;

Në Ditën e Fitores dhe të Falënderimit për Atdheun dhe Ditën e Mbrojtësve Kroatë, transmetimin tonë e nisim me historinë e gjeneralit Ante Gotovina. Në këtë ditë – 5 gusht 1995 – njësitë nën komandën e tij hynë në Knin. Gazetarja jonë Julija Bačić Barać raporton mbi atë që po bën Gotovina sot, si dhe mbi ditët që pasuan lirimin e tij nga Haga. Gjenerali Ante Gotovina është një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne kroate. Kthimi i tij në Kroaci pas shpalljes së pafajësisë nga Tribunali i Hagës në vitin 2012 mbetet një nga momentet më emocionuese që ka përjetuar vendi që nga përfundimi i Luftës për Atdheun. “Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i Ante Gotovinës dhe Mladen Markaçit” – këto ishin fjalët që jehuan në mbarë Kroacinë atë nëntor, të shoqëruara nga skena festimesh në të gjithë vendin. Dikur, posterat me sloganin “Hero, jo kriminel” ishin një pamje e zakonshme, veçanërisht në Dalmaci. Sot, për shumicën e kroatëve, mesazhe të tilla nuk janë më të nevojshme. Që kur u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, Gotovina ka bërë një jetë më të qetë, larg grindjeve politike dhe vëmendjes së publikut. Tani gjenerali jeton në vendlindjen e tij, në Pakoštane, një vend që ende e mirëpret me krenari përmes një tabele ku shkruhet: “Mirë se vini në qytetin e Gjeneralit…”
Ai shpesh e përshkruan veten, para së gjithash, si një njeri të detit. “Jam njeri i detit. Njerëzit e mi ishin peshkatarë dhe bujq. Siç e shihni, nga ana e nënës ishin bujq, ndërsa nga ana e babait – peshkatarë.” “Jam njeri i detit,” ka thënë ai dikur. Pas përfundimit të procesit gjyqësor, ai iu përkushtua sipërmarrjes dhe tani drejton një biznes të suksesshëm në industrinë e peshkimit. “Punoj në industrinë e peshkimit dhe jam i lumtur që, së bashku me njerëzit me të cilët punoj, po kontribuojmë në zhvillimin e këtij sektori në mënyrën tonë,” vuri në dukje ai. Përtej detit, ai ushqen një dashuri të madhe për artin. Gjatë kohës së qëndrimit⁵ në Hagë, ai filloi të merrej me pikturë për ta përballuar më lehtë jetën në burg dhe e ruajti këtë pasion edhe pas kthimit në atdhe. Gjithashtu, ai nuk e ka fshehur kurrë rëndësinë që ka besimi në jetën e tij. Në vitin 2023, ai dhuroi dritare me xhama të pikturuar për kishën e famullisë së tij në Pakoštane, në emër të Vëllazërisë së Shën Antonit, një organizatë pjesë e së cilës familja e tij ka qenë prej brezash. “Stërgjyshi dhe gjyshi im ishin anëtarë të vëllazërisë. Gjyshi nuk kishte djem, ndaj unë, si nipi më i madh, e vazhdova traditën,” shpjegoi ai. Gotovina ka qenë i martuar dy herë dhe ka tre fëmijë. Ai ka 31 vite i martuar me bashkëshorten e tij, Dunja – ish-shefe e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Gojko Šušak, me të cilin e lidhte edhe një marrëdhënie kumbarie.

Jeta e tij nuk ishte e lehtë. Ai humbi nënën kur ishte vetëm katër vjeç dhe u largua nga Kroacia në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare. Fillimisht punoi si marinar para se t’i bashkohej Legjionit të Huaj Francez, ku fitoi përvojën ushtarake që më vonë do të përcaktonte karrierën e tij. Nga viti 1991 e tutje, ai mori pjesë aktive në Luftën për Pavarësi (Luftën e Atdheut); ishin njësitë nën komandën e tij ato që çliruan Kninin më 5 gusht 1995, gjatë Operacionit “Stuhia”. Edhe sot, ai shpesh u kujton njerëzve çmimin e lartë të paguar për lirinë kroate.
“Liria dhe siguria që gëzojmë sot nuk erdhën pa kosto. Shumë njerëz dhanë jetën për to dhe shumë të pafajshëm vuajtën,” thotë ai. Më shumë se tri dekada pas Operacionit “Stuhia”, ai beson se shoqëria duhet të shikojë nga e ardhmja. “Duhet të përqendrohemi te gjërat që kanë rëndësi në jetë – si të përparojmë, qoftë përmes artit, shkencës, ekonomisë apo ndonjë fushe tjetër,” pohon ai.
Ai shpesh citon presidentin e parë të Kroacisë, Franjo Tuđman, fjalët e të cilit i konsideron si parim udhërrëfyes për jetën. “Fitimtari që nuk di të falë, e mbjell farën e përçarjeve të reja.”
Megjithëse për vite me radhë kishte spekulime se ai mund të hynte në politikë, Gotovina gjithmonë dha një përgjigje të qartë. “Politika nuk më intereson, por i respektoj dhe i vlerësoj njerëzit që angazhohen në të.”
Gjenerali shpesh thekson se Kroacia mban përgjegjësinë më të madhe ndaj familjeve të luftëtarëve të rënë.

“Mbrojtësit (luftëtarët) e rënë, familjet dhe fëmijët e tyre janë një barrë që e mbajmë në shpirt. Duhet të kujdesemi për ta, sepse jetët e të rinjve janë të gërshetuara në vetë themelet e shtetësisë kroate,” thotë ai.

Emri i Ante Gotovinës është gdhendur përgjithmonë në historinë kroate. Nga komandant lufte – përmes periudhës kur u akuzua nga Tribunali i Hagës dhe shpalljes së pafajësisë më pas – e deri te sipërmarrësi i suksesshëm dhe njeriu që tani bën një jetë të qetë buzë detit, ai ka mbetur një nga figurat më të fuqishme dhe më të njohura të Luftës për Pavarësi.

https://www.facebook.com/share/p/1Bw4SbJSZ3/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ibrahim Kadri Malaj. Agronom i lartë. Ish drejtor i Ndërmarjes…