RRETH DËSHTIMIT TË PËRBASHKUAR?
Lulëzim ETEMAJ
Pa u lexuar drejt verdikti i Hagës kundër katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, është iluzore të pritet rezultat pozitiv nga Apeli. Protestat dhe tubimet solidarizuese janë të mirëseardhura, por koha dhe problematika kërkojnë angazhimin dhe veprimin konkret të shtetit tonë.
Të mos harrohet: partitë politike në Kosovë kurrë nuk e kanë pasur të përbashkët UÇK-në. Në raport me të, nuk është se kanë pasur vetëm dallime në mendime dhe bindje. Ka nga krerët e tyre që kanë ushqyer dhe ushqejnë jo vetëm kundërshti, por edhe armiqësi!
Prandaj, janë skajshmërisht patetike thirrjet për ulje shpatash, ngase e kemi të përbashkët Kosovën, e cila është në rrezik. Është koha e fundit të pranohet fakti se, pa e pasur të përbashkët UÇK-në, nuk mund ta kemi as Kosovën dhe, rrjedhimisht, nuk mund ta shpëtojmë nga rreziku.
Për çfarë na duhet uniteti politik, nëse jo për veprime konkrete shtetërore në mbrojtje të UÇK-së dhe historisë sonë? Çfarë uniteti mund të krijohet pa u ballafaquar me faktin se përballë Hagës, si në rastin e dënimeve të mëparshme ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, ashtu edhe atij të 16 shtatorit, ne kemi dështuar si shoqëri, si parti politike, ashtu edhe si institucione të shtetit?
Pse po synohet t’u faturohet dështimi avokatëve?
Çfarë hynë në punë përbashkimi rreth dështimit? Për t’i ikur partitë politike dhe institucionet e shtetit dhënies së llogarisë dhe marrjës së përgjegjësisë?
Ky nuk është parakushti i duhur, nëse vërtet synohet një mobilizim i gjithanshëm për të korrur një rezultat të suksesshëm në Gjykatën e Apelit.



