Joseph kritikon reagimet në Kosovë pas vizitës së Zelenskit në Beograd: Mos ia ktheni shpinën Ukrainës
Profesori amerikan Edward P. Joseph ka kritikuar reagimet në Kosovë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe qëndrimit të tij për mosnjohjen e Kosovës.
Në një intervistë për “Magazina Tjetër”, Joseph tha se liderët e Kosovës po bëjnë “një gabim të madh” duke reaguar emocionalisht, ndërsa kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të rikonfirmojë fuqishëm mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.
“Kosova duhet ta dyfishojë mbështetjen për Ukrainën – jo t’ia kthejë shpinën!”, deklaroi Joseph.
Ai i bëri thirrje edhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që ta rivendosë flamurin e Ukrainës, ndërsa kërkoi që Kosova të intensifikojë kontaktet politike, ekonomike, të sigurisë dhe teknologjike me Kievin. Joseph propozoi gjithashtu që Ukraina të ftohet të hapë një Zyrë Ndërlidhëse në Prishtinë.
Sipas tij, vizita e Zelenskit në Beograd duhet të shërbejë si “alarm zgjimi për Prishtinën”.
“Veproni me përgjegjësi, jo emocionalisht. Jepini fund kaosit politik. Merrini seriozisht obligimet tuaja ndaj serbëve të Kosovës. Çojini përpara interesat strategjike të Kosovës”, përfundoi Joseph.



