Mujku: Për rastin e Behajdin Allaqit kishte dëshmi kundërthënëse në Gjykatën Speciale

25 shtator 2026 | 22:58

Gazetarja Rina Mujku, ka deklaruar në emisionin Rubikon se rasti i Behajdin Allaqit, i cili sipas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, është vrarë pasi ishte marrë i prangosur nga shtabi i UÇK-së në Drenoc të Rahovecit, është shoqëruar ndër vite me dëshmi kundërthënëse.

Mujku tha se mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, përmes avokatit Luka Misetic, ka kërkuar që të bëhen publike të gjitha të dhënat lidhur me rastin.

“Ka qenë zoti Thaçi që përmes avokatit të tij, Luka Misetic, kërkoi që gjithçka të bëhet publike, sepse sipas tij dhe në dosjen e tij, thuhet se vetëm dy persona dhe zoti Rexhep Selimi kanë pasur dijeni për rastin e Behajdin Allaqit”, deklaroi Mujku, në Rubikon.

Ajo theksoi se dëshmitë lidhur me rastin kanë pasur kundërthënie, jo vetëm brenda familjes Allaqi, por edhe mes ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe personave që kishin qenë të përfshirë në aktivitetet e LPK-së.

Mujku, e cila ka përcjellur nga afër gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, thotë se disa dëshmi të familjarëve, të cilat sipas saj janë konsideruar nga mbrojtja si kundërthënëse, nuk janë marrë fare në shqyrtim në sallën e gjyqit.

“Mund të themi me siguri që dy zonjat që kanë dëshmuar në sallën e gjykimit, dhe po ashtu dëshmitë e familjarëve të tjerë të cilat prokuroria i ka rrëzuar nuk i ka thirrur fare në gjykatore, janë kundërthënëse me njëra tjetrën, gjithnjë sipas dokumenteve të mbrojtjes, dhe përveç se janë kundërthënëse bazohen në thashetheme”, tha më tej Mujku.

Për më tepër sipas saj, edhe dëshmitë e personave që kanë folur në gjykatë për rastin Allaqi nuk kanë qenë dëshmi të drejtpërdrejta që akuzojnë Hashim Thaçin apo Kadri Veselin për vrasjen ose burgosjen e tij.

“Asnjëri prej dëshmitarëve që kanë folur për rastin Allaqi në sallën e gjykimit nuk ka bërë me gisht qoftë te zoti Thaçi apo te zoti Veseli, ekskluzivisht se ju e keni vrarë, apo burgosur zotin Allaqi në qershor të vitit 1998”, tha Mujku.

Ajo shtoi se, sipas dokumenteve të mbrojtjes, një pjesë e dëshmive ishin të bazuara në informacione të përcjella nga persona të tjerë.

“‘Më ka thënë ky, më ka thënë ai’, pra janë thjesht thashetheme të shtresuara, që më pas janë marrë si të mirëqena”, u shpreh gazetarja Mujku.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur sot, të premten, pranë…