Amerika u kërkon prodhuesve të armëve të rrisin prodhimin, shqetësim për rezervat
Departamenti amerikan i Mbrojtjes u ka kërkuar kompanive të industrisë së mbrojtjes që të përshpejtojnë prodhimin e armëve, në një kohë kur janë duke u rritur shqetësimet se rezervat amerikane po pakësohen, ndërsa lufta në Iran është duke vazhduar.
Në një memorandum të hartuar nga zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Steve Feinberg, kompanive u është dhënë një afat prej 21 ditësh për të paraqitur plane konkrete për rritjen e prodhimit dhe përshpejtimin e dorëzimit të pajisjeve dhe armëve kritike. Memorandumi synon që kompanitë të propozojnë afate dukshëm më të shpejta të furnizimit dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, ka konfirmuar se memorandumi është i vërtetë dhe është shprehur se ai do të merret në konsideratë gjatë përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2028. Ndërkohë, buxheti për vitin 2027, i cili aktualisht është duke u shqyrtuar nga Kongresi, mund ta përshpejtojë këtë proces.
Parnell e ka mbrojtur nismën, duke u shprehur se komunikimi i drejtpërdrejtë me drejtuesit e industrisë së mbrojtjes nuk është diçka e re për Pentagonin, raporton “CNN”. Sipas tij, Feinberg është duke udhëhequr përpjekjet për reformimin e sistemit amerikan të prokurimit të mbrojtjes dhe për rritjen e kapacitetit të prodhimit të armëve, në përputhje me nevojat dhe kërcënimet aktuale.



