Dehari: Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, është shprehur se pa një marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve, vendi pashmangshëm do të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat i ka cilësuar të panevojshme dhe të dëmshme.
Dehari ka theksuar se marrëveshja politike duhet të arrihet, duke shtuar se një gjë të tillë, sipas tij, e kërkojnë Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese.
“Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme. Duhet të arrihet marrëveshja politike. Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë”, ka shkruar Avni Dehari në “Facebook”.
Ai ka drejtuar akuza edhe ndaj një pjese të deputetëve opozitarë, duke pretenduar se disa prej tyre nuk duan marrëveshje për konstituimin e institucioneve dhe synojnë incidente në seancën konstituive.
“Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshje politike për konstituim të institucioneve dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive”, është shprehur Dehari.
Të shtunën është ndërprerë sërish vazhdimi i seancës konstituive.
Kjo pasi kreu i LV-së, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Ai ka deklaruar se kjo kërkesë vjen pasi ende nuk ka marrëveshje politike.
“Takimet dhe komunikimi im, si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues Lëvizja Vetëvendosje, me kryetarët e partive të tjera parlamentare, kanë vazhduar. Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, lus për kohë shtesë”, ka thënë Kurti.
Pas kësaj kërkese, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka sulmuar me vezë kryetarin e LV-së, Albin Kurtin. Për shkak të këtij incidenti, kryesuesi Dehari ka kërkuar që sigurimi i Kuvendit të hyjë në sallë.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LV-ja ka marrë 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7.



