Familjarët refuzuan takimin, Haxhiu: Derën e kanë të hapur, i përgëzoj qytetarët për protesta
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se familjarët e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë kanë refuzuar ftesën e saj për takim, vendim të cilin ajo ka theksuar se e respekton plotësisht.
Haxhiu ka theksuar se synimi i kësaj ftese ka qenë që, nga niveli më i lartë shtetëror, të shprehej mbështetja institucionale për nevojat dhe kërkesat e këtyre familjeve në këtë moment të ndjeshëm.
“Arsyeja pse kam konsideruar që është e rëndësishme të takohem me familjarët, sepse vlerësoj që në situatën në të cilën jemi, po flas për institucionin e Presidencës, të takohet me familjarët dhe të shpreh mbështetjen tonë për kërkesat dhe nevojat e tyre. Ata nuk kanë dashur, e respektoj vendimin e tyre”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka ripërsëritur gatishmërinë e saj për të qenë pranë tyre në çdo kohë dhe formë.
“Jam e gatshme t’i pres në çdo moment që ata dëshirojnë ose të shkoj në vizita familjare. Kam zgjedhur që paraprakisht t’i pres në institucion, që të dërgojmë mesazh institucional”, ka thënë ajo.
Po ashtu, Haxhiu ka shprehur përkrahje për reagimin qytetar dhe tubimet që po mbahen ditëve të fundit në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Speciale.
“I mbështes protestat qytetare, do të shqetësohesha që pas vendimit në Hagë të mos kishte protesta. I përgëzoj qytetarët”, ka përfunduar Haxhiu.



