Qumështorja ‘Vita’ nis procedurat ligjore kundër Ministrisë së Bujqësisë, i drejtohet Gjykatës Komerciale, Administrative dhe Supreme
Qumështorja “Vita”, pasi ka prezantuar disa analiza të marra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilat, sipas kompanisë, dëshmojnë se qumështi i saj është i pastër, ka nisur procedurat ligjore kundër AUV-it dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Vita” e ka paditur Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Gjykatën Supreme.
Qumështorja “Vita” e ka paditur ministrinë edhe në Gjykatën Administrative, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për inicimin e verifikimit administrativ dhe kontrollit të jashtëzakonshëm ndaj operatorit ekonomik ABRAZEN LLC, si dhe ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë që gjatë procedurës rezultojnë të lidhur me objektin e këtij verifikimi.
“Vita” ka nisur procedura ligjore edhe në Gjykatën Komerciale dhe në Gjykatën Administrative, duke argumentuar se, pavarësisht kërkesave ligjore, AUV nuk i ka publikuar rezultatet dhe nuk ia ka dërguar kompanisë rezultatet e analizave.
“Vita” është shprehur në kërkesën e saj se hezitimi për ta shpalosur raportin e prezantuar më 04/08/2026, pavarësisht kërkesave të përsëritura të kompanisë, si dhe vonesa në publikimin e rezultateve, përkundër afatit ligjor, vë në dyshim transparencën dhe drejtësinë e procedurës së zhvilluar kundër Qumështores “Vita”.
Qumështorja “Vita” është shprehur se, përveç interesit juridik për ruajtjen e provës nga ana e kompanisë, kërkesa për ruajtjen dhe sigurimin e provës është e natyrës urgjente.







