AVONET dhe 13 organizata kërkojnë ndërhyrjen e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit
AVONET, së bashku me 13 organizata të tjera të shoqërisë civile, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë për të vlerësuar nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar siç duhet në lidhje me afatin për konstituimin e Kuvendit.
Kërkesa është paraqitur pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Sipas organizatave nënshkruese, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht nuk ka përfunduar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në deklaratën për media, AVONET ka theksuar se mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e këtyre organeve nuk mund të konsiderohet si konstituim i plotë i Kuvendit, duke iu referuar përcaktimeve të Aktgjykimit KO124/25.
Organizatat kanë vënë në dukje edhe faktin se vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, një ditë pas përfundimit të afatit 30-ditor.
Përmes kërkesës së tyre, ato i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse aktgjykimi është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.
Kërkesa është bazuar në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën për rastet kur pretendohet moszbatimi i një vendimi të Gjykatës.
Në rast se konstatohet moszbatim, AVONET dhe organizatat nënshkruese kanë kërkuar që Gjykata të ndërmarrë masat e parapara me rregullore, përfshirë nxjerrjen e aktvendimit për moszbatim apo mospërmbarim, si dhe veprime të tjera që mund t’i konsiderojë të nevojshme.
Sipas tyre, çështja është me rëndësi për funksionimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe për respektimin e rendit kushtetues.
“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, është thënë në deklaratën e organizatave.



