Qeveria miraton Projektligjin për Byronë e Pasurisë së Pajustifikueshme
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, ku ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon themelimin dhe përcaktimin e kompetencave të kësaj byroje, si dhe procedurën për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Qeveria ka miratuar edhe projektligjet që lidhen me sistemin e drejtësisë, përfshirë rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Po ashtu, janë miratuar ndryshimet në ligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Në fushën e energjisë, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, me synim rregullimin e sektorit dhe garantimin e furnizimit të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji.
Ndër projektligjet e tjera të miratuara janë edhe ai për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.
Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme 2027–2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.
Në kuadër të vendimeve të tjera, Qeveria ka propozuar kandidatë për kryesues dhe dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ndërsa ka miratuar edhe disa vendime për dhënien me qira të parcelave në komuna të ndryshme për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe materialeve të tjera.
Gjithashtu, është zgjatur për tre muaj mandati i Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, është miratuar lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për kategoritë e ulëta dhe të mesme drejtuese, si dhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.



