Haxhiu kthehet në sallë për ‘vizitën e mërgatës’, deputetët e PDK-së i reagojnë: Thirreni seancën
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është kthyer në sallën e Kuvendit, duke thënë se ka shkuar aty për shkak të vizitës së mërgatës.
Haxhiu ka kritikuar partitë e tjera, duke i cilësuar veprimet e tyre si të “pajustifikueshme”.
“Siç po e shihni opozita i proteston edhe mërgatës, edhe të rinjve e të rejave tona, por kur s’ka kauzë vazhdojnë me veprime të tilla të pajustifikueshme. Ja që opozita po tenton të bëjë veprime të tilla vetëm që të pengojë aktivitetet e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në vazhdimësi ka bërë ftesa për opozitën, por sipas saj, ato janë refuzuar nga PDK-ja dhe AAK-ja.
“Kryetari Kurti, në vazhdimësi ka bërë ftesa për opozitën, ai së pari është përballur me refuzim të takimeve nga ana e PDK-së dhe AAK-së, dhe në anën tjetër nga kërkesa të cilat janë në shpërputhje me fuqinë politike, siç janë kërkesat e LDK-së. Pra seancë do të ketë, por paraprakisht duhet të ketë marrëveshje. Unë jam një nga personat që kam bërë aktivitete opozitare, por gjithmonë kemi protestuar kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin. Kur nuk ke kauzë, veprimet janë banale. Këta kanë probleme lidershipi dhe prandaj edhe veprimet i kanë të pakontrolluara”, ka deklaruar Haxhiu.
Në anën tjetër, deputetët e PDK-së i kanë bërë thirrje Haxhiut që ta thërrasë seancën konstituive. /EO



