Krasniqi: LDK-ja po i bën argat gratis LV-së
Profesori Milazim Krasniqi ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se kjo parti ka sabotuar formimin e një qeverie nga opozita para zgjedhjeve të fundit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Krasniqi ka deklaruar se po të ishte formuar ajo qeveri, situata aktuale politike do të ishte ndryshe.
Ai ka kritikuar LDK-në edhe për qëndrimin e saj aktual, duke thënë se, sipas tij, duke u fshehur, ajo “po i bën argat gratis LV-së”.
“Për keqardhje: LDK sabotoi formimin e qeverisë nga opozita para këtyre zgjedhjeve. Po të formohej ajo qeveri, sot nuk do të ishte kjo gjendje pa shtegdalje”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se LDK-ja duhet të hyjë në qeveri dhe të largohet nga, siç e ka quajtur ai, pozita e “mjerë” dhe “vasale e LV-së”.
“Nëse shkelja e Kushtetutës nuk e shqetëson LDK-në, kauza e saj ka marrë fund. Fatkeqësisht, me këto veprime po përdhoset edhe historia e saj. Mua kjo më dëshpëron shumë”, ka shkruar Krasniqi.



