Alarm në tenderin e karburanteve: Petrol Company sfidon AQP-në për dokumentin e IP-KOS-it, lotet milionëshe mbeten pezull
Një përplasje serioze për mënyrën e vlerësimit të ofertave ka shpërthyer në tenderin për furnizim me karburante të zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).
Petrol Company ka kontestuar vendimin për Lotet 2, 5 dhe 7, duke pretenduar se operatorit të rekomanduar për kontratë, IP-KOS iu është pranuar një dokument që, sipas kompanisë ankuese, nuk e plotëson kërkesën e përcaktuar në Dosjen e Tenderit për garancion, autorizim ose konfirmim nga rafineria/prodhuesi.
Por, në anën tjetër AQP-ja e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të Petrol Company si të pabazuar, pavarësisht se kompania ankuese ka ofruar dëshmi se behet fjalë për falsifikim të ddokumenteve zyrtare nga ana e kompanisë IP-KOS, raporton Front Online.
Petrol Company: Kriteri ishte i qartë,dokumenti duhej nga prodhuesi ose rafineria
Në kërkesën e saj të datës 27 korrik 2026, Petrol Company rikujton se në Dosjen e Tenderit ishte kërkuar shprehimisht: “Garancion apo autorizim apo konfirmim nga rafineria/prodhuesi.”
Pra, si evidencë kërkohej dokument që garantonte furnizimin për kontratën apo Lotin për të cilin operatori ofertonte, origjinal, i nënshkruar dhe i vulosur.

Madje, sipas dokumentacionit, gjatë procedurës ishte kërkuar sqarim nëse do të pranohej autorizim nga distributori zyrtar i prodhuesit. Përgjigjja e Autoritetit Kontraktues, e cituar në kërkesën e Petrol Company, kishte qenë se duhej kërkuar garancion, autorizim apo konfirmim nga rafineria ku furnizohet operatori, duke shtuar se nuk do të pranohej dokument “nga çfarëdo distributori që nuk është rafineri”.
Sipas saj, dokumenti i IP-KOS-it përmend BP Oil International Limited, por njëkohësisht evidenton se marrëdhënia tregtare dhe furnizimi realizohen përmes GEGA OIL e identifikuar si “authorized supplier”.

Për Petrol Company, kjo ngre pyetjen nëse dokumenti i pranuar nga AQP ishte realisht garancion i drejtpërdrejtë nga rafineria/prodhuesi apo dokument i lidhur me një furnizues/distributor të autorizuar, pikërisht kategori për të cilën, sipas ankuesit, AQP më herët kishte vendosur kufizime, raporton Front Online.
Dyshimet për nënshkruesin

Petrol Company ka ngritur po ashtu pikëpyetje mbi kompetencën e personit që figuron si nënshkrues i dokumentit të paraqitur në emër të BP Oil International Limited. Kompania pretendon se dokumentacioni nuk përmban prova të mjaftueshme për autorizimin e nënshkruesit dhe se duhet të vërtetohet nëse personi në fjalë kishte kompetencë ligjore për të vepruar në emër të BP-së në momentin kur është lëshuar dokumenti.

Në kërkesën fillestare, Petrol Company argumentonte se këto rrethana duhej të verifikoheshin para se oferta e IP-KOS-it të konsiderohej e përgjegjshme.
AQP e refuzon Petrol Company, por thotë: Për faktet që nuk mund t’i verifikojmë, drejtohuni organeve kompetente
Në përgjigjen zyrtare, AQP nuk e ka pranuar argumentimin e Petrol Company.
Institucioni thotë se BP është prodhues dhe se në dokumentin e dorëzuar nga IP-KOS ekziston konfirmimi nga BP që, sipas interpretimit të AQP-së, e mbështet drejtpërdrejt IP-KOS-in.

AQP citon pjesën e dokumentit ku thuhet se, bazuar në bashkëpunimin ekzistues tregtar, konfirmohet dhe garantohet aftësia dhe angazhimi për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me produkte të naftës për IP-KOS, në rast të dhënies së kontratave për lotet përkatëse.
Por, vendimi i AQP-së nuk e mbyll betejën e Petrol Company.

Në fund të dokumentit, AQP njofton se Lotet 2, 4, 5, 7 dhe 9 mbesin të pezulluara deri në përfundimin e afatit për ankesa, ndërsa procedurat për lotet e tjera vazhdojnë me nënshkrimin e kontratave. Për Petrol Company, kontesti lidhet konkretisht me Lotet 2, 5 dhe 7.
Përplasja që tash zhvendoset në OSHP
Në njërën anë qëndron AQP, e cila thotë se dokumenti i IP-KOS-it duhet konsideruar konfirmim nga BP dhe se oferta është vlerësuar në përputhje me ligjin.
Në anën tjetër qëndron Petrol Company, e cila këmbëngul se kërkesa e tenderit dhe sqarimet paraprake të AQP-së kërkonin dokumentacion të qartë nga prodhuesi/rafineria dhe se pikëpyetjet rreth natyrës së dokumentit dhe kompetencës së nënshkruesit nuk mund të anashkalohen vetëm me interpretimin formal të tij.
Kompania në fjalë do ti drejtohet Organit Shqyrtues të Prokurimit duke kërkuar që të vihet drrejtësi në këtë tender milionësh për furnzim me derivate.

Burime të besueshme të portalit bejnë të ditur se për dokumentin që dyshohet të jetë i falsifikuar janë njoftuar edhe organet e hetuesisë në Kosovë.
Front Online ka derguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka arritur të marrë përgjigjie nga ta



