Bujar Haradinaj: Kosova po shkon drejt humnerës nga disa politikanë të papërgjegjshëm

13 gusht 2026 | 11:38

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bujar Haradinaj, ka kujtuar 28-vjetorin e luftimeve të gushtit të vitit 1998, duke sjellë në vëmendje edhe plagën që mori gjatë luftimeve në Shaptej, te Kulla e Ibrajve. Përmes një postimi, Haradinaj ka kujtuar ditët e përgjakshme të 9, 10, 11, 12 dhe 13 gushtit të vitit 1998, kur, siç shkruan ai, pas një ofensive të madhe humbën jetën shumë luftëtarë dhe u plagosën shumë të tjerë. Haradinaj ka publikuar edhe një fotografi të plagës së tij në nofull, të cilën thotë se e mori më 12 gusht 1998 në Shaptej.

“Një plagë që e mbaj si dëshmi të atyre ditëve dhe të sakrificës për liri”, ka shkruar Haradinaj. Ai më pas ka bërë një paralelizëm mes ditëve të luftës dhe situatës aktuale në Kosovë, duke shprehur shqetësim për zhvillimet politike në vend. “Sot, 28 vite më pas, Kosova po përballet me ditët më të vështira që nga çlirimi. Po shtyhet drejt humnerës nga disa politikanë të papërgjegjshëm, që nuk dhanë asgjë për këtë vend”, ka deklaruar ai. Haradinaj ka thënë se Kosova nuk është dorëzuar në ditët më të vështira të luftës dhe, sipas tij, nuk do të dorëzohet as sot. “Por le ta dinë të gjithë. Kosova nuk u dorëzua në ditët më të vështira të luftës, nuk dorëzohet as sot! Kjo liri u fitua me gjak, sakrificë dhe jetë. Askush nuk ka të drejtë ta çojë Kosovën drejt humnerës! Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës! Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë tokë!”, ka shkruar në fund Bujar Haradinaj.

https://www.facebook.com/share/p/1G7ybaajXp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri institucionet kryesore në Kosovë udhëhiqen prej muajsh nga zyrtarë…