Kurti, përveç monopolit mbi pushtetin, pretendon edhe monopol emocional mbi diasporën
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Ismaili Ahmeti, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai, përveç monopolit të pushtetit, pretendon edhe monopol emocional mbi diasporën.
Postimi i plotë i saj në Facebook:
Kurti nuk kërkon vetëm monopolin e pushtetit në Kosovë. Ai pretendon edhe monopolin emocional mbi diasporën.
Për vite me radhë, mërgatës i është shitur ideja se vetëm një parti përfaqëson shpresën, patriotizmin dhe ndryshimin, ndërsa kushdo që mendon ndryshe vendoset në anën tjetër të një vije artificiale politike.
Por diaspora nuk është pronë elektorale e askujt.
Ajo i përket Kosovës, jo një partie dhe jo një lideri. Është shumë më tepër se votë: është familje, dije, kapital, sakrificë dhe një nga shtyllat më të fuqishme të lidhjes së Kosovës me botën.
Monopoli i pushtetit sfidohet me demokraci.
Monopoli emocional sfidohet me besim, respekt dhe prani. Diasporës duhet ofruar një alternativë serioze politike. Për t’a bërë këtë atë duhet dëgjuar, me të duhet komunikuar dhe bashkëpunuar.
Diaspora është e Kosovës.
Jo e Albin Kurtit.



