Mbi krizën institucionale dhe rendin kushtetues: Për një qeveri profesionale dhe programore, me një kryeministër apartiak

13 gusht 2026 | 18:52

Shkruan: Hisen Berisha 

Ajo që po ndodh sot në Kuvendin e Kosovës nuk duhet parë vetëm si një përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës. Është një çështje që prek drejtpërdrejt funksionimin e shtetit, legjitimitetin institucional dhe respektimin e rendit kushtetues.

Qëndrimi im është i qartë, është mbi palët politike dhe në anën e Kushtetutës dhe të Republikës së Kosovës.

LVV, si subjekt i parë në zgjedhje, ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk ka të drejtë ta konsiderojë këtë të drejtë si të drejtë për ta mbajtur peng konstituimin e Kuvendit.

Në anën tjetër, opozita ka të drejtë ta kundërshtojë kandidaturën dhe të mos votojë një zgjidhje që nuk e konsideron të pranueshme. Por edhe opozita duhet të kujdeset që kundërshtimi politik të mos shndërrohet në bllokadë institucionale.

Askush nuk është mbi Kushtetutën. As shumica, as opozita, as individi, as partia.

Afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese ka kaluar dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar. Me ketë deputetët janë në shkelje të kushtetutes së shtetit, Kjo e bën situatën edhe më serioze dhe kërkon që çdo veprim i mëtejmë të matet me normën kushtetuese, jo me interesin e momentit politik.

Në këtë situatë, edhe nëse përgjegjësia e deputetëve është të gjejnë rrugën për funksionalizimin e institucioneve, ndërsa çdo paqartësi kushtetuese duhet t’i nënshtrohet interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Pozicioni i tyre pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e kuvendit, që i vë në shkelje të kushtetutes i hendikepon ata jo vetëm ligjërisht ppr edhe moralisht, meqë me aktin e betimit kanë bërë që t’iu rrjedhin meditjet – për të shkelur kushtetuten.

Kosova nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet partiake.

Shteti ka nevojë për Kuvend funksional, institucione legjitime dhe stabilitet kushtetues.

Prandaj, mes dy logjikave, asaj të imponimit të shumicës dhe asaj të bllokimit nga opozita, zgjedhja mbi palët është e treta:

Kushtetuta, funksionaliteti i shtetit dhe interesi i Republikës së Kosovës.

Kjo nuk është çështje se kush fiton politikisht nga kriza.

Çështja është se kush po e mbron rendin kushtetues në një situatë kur polarizimi polotik kërcënon vetë shtetin ?

Por nëse kjo frymë nuk përfillet dhe nëse politika vazhdon ta çojë vendin drejt një polarizimi gjithnjë e më ekstrem, atëherë problemin duhet ta shohim në një dimension shumë më të gjerë.

Sot po përballemi me një klasë politike të polarizuar deri në skajet e kundërta.

Në njërin skaj qëndron vizioni i Kosovës – shtet i pavarur dhe demokratik, i shpallur më 17 shkurt 2008, pas sakrificave politike, luftarake dhe diplomatike e popullit të Kosovës, të përfaqësuara politikisht, në periudha të ndryshme, nga forcat politike që kanë qenë pjesë e këtij procesi shtetformues.

Në skajin tjetër qëndron një spektër politik i majtë, i përfaqësuar nga Partia Socialiste, alias Lëvizja Vetëvendosje, i cili, sipas vlerësimit politik dhe historik, ka pasur qëndrime të kundërta me këtë koncept shtetformues, ndaj luftës, dialogut, pavarësisë dhe orientimit strategjik të Kosovës, duke manipuluar, ndër të tjera, me idenë e bashkimit kombëtar dhe një koncept tjetër për zgjidhjen politike të statusit të Kosovës si “Republikë e tretë” brenda ofertës së Millisheviçit.

Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një përplasje ndërmjet dy partive.

Kemi të bëjmë me dy vizione të ndryshme për shtetin e Kosovës, për mënyrën e ndërtimit të tij dhe për orientimin e tij politik e strategjik.

Kur këto dy botë politike nuk arrijnë më të gjejnë një minimum të përbashkët për funksionimin e shtetit, kriza institucionale rrezikon të shndërrohet në krizë të vetë shtetit.

Dhe këtu duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje politike dhe kushtetuese, atëherë vendi mund të hyjë në një fazë ku hapen dy kurse të rrezikshme veprimi me pasoja shumë serioze.

I pari është reagimi ndërkombëtar mbi parimin e Përgjegjësisë për Mbrojtje, R2P (Right 2 Protect), institut i së drejtës ndërkombëtare që vihet në veprim nëse situata do të kalonte në një nivel ku cenimi i rëndë i sigurisë, stabilitetit dhe jetës së qytetarëve do të kërkonte një reagim ndërkombëtar.

Një zhvillim i tillë do të ishte jashtëzakonisht shqetësues, sepse do të përbënte një kthim prapa të procesit të konsolidimit politik dhe institucional të Republikës së Kosovës, për shkak të mosfunksionimit të vetë institucioneve të saj.

Kursi tjetër është ajo që, në vlerësimin tim politik dhe strategjik, mund të quhet “Gushti Ushtarak”.

Ky term nuk duhet kuptuar si dëshirë apo thirrje për një përmbysje ushtarake të rendit kushtetues, por si një skenar ekstrem që mund të shfaqet kur një shtet arrin në pikën ku mekanizmat politikë nuk janë më në gjendje të prodhojnë funksionalitet institucional.

Në Kosovë, një skenar i tillë duhet parë me jashtëzakonisht shumë kujdes.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të konsolidimit dhe të arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale dhe ende përballet me mangësi që duhet të adresohen. Pikërisht për këtë arsye, procesi i ndërtimit të kapaciteteve të saj nuk guxon të politizohet, të instrumentalizohet apo të përdoret për qëllime të konfliktit të brendshëm politik.

Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë së shtetit nuk janë instrumente të asnjë partie politike.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë publike dhe ka kapacitete operacionale, përfshirë njësitë për operacione speciale dhe FIT-in, që i japin shtetit mundësi të reagojë ndaj kërcënimeve serioze të rendit dhe sigurisë, por gjithmonë brenda mandatit kushtetues dhe ligjor.

Në vlerësimin tim politik, strategjik dhe si ushtarak, pikërisht këtu duhet bërë dallimi thelbësor:
forca e shtetit duhet të jetë instrument i Kushtetutës dhe ligjit, jo zëvendësim i tyre.

Prandaj, një situatë ku institucionet e sigurisë do të përdoreshin për të marrë pushtetin politik do të ishte në kundërshtim me frymën e demokracisë për të cilën kemi luftuar.

Por njëkohësisht, nuk mund të injorohet fakti se, nëse institucionet politike vazhdojnë të mos funksionojnë dhe nëse Kushtetuta shkelet sistematikisht, presioni mbi institucionet e sigurisë dhe mbi vetë rendin shtetëror mund të rritet deri në një pikë kritike, ku arsyetohet vënia në veprim për mbrojtje të rendit kushtetues.

Kështë që, pikërisht këtë skenar duhet ta parandalojmë përpara se të bëhet realitet.

Po ashtu, asnjë krizë politike nuk duhet të lejojë që Kosova të hyjë në rrezikun e madh, rrugën e një përplasjeje të armatosur ndërmjet qytetarëve të saj që në gjuhen konvencionale quhet – Luftë Civile.

Pra, alternativa më e keqe nga të gjitha do të ishte lufta civile apo qytetare.

Pasojat e saj do të ishin fundosëse për shtetin, shoqërinë dhe vetë pavarësinë e Kosovës.

Do të përmbushej kështu edhe një nga dogmat më të vjetra e më të rrezikshme të politikës serbe se:
“Shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet.”

Këtë nuk guxojmë ta lejojmë.

Përpara se kriza të arrijë në një pikë pa kthim, duhet të gjendet një zgjidhje politike dhe kushtetuese.

Megjithëse përcaktimi im është i qartë në mbrojtje të rendit kushtetues, nëse partitë politike aktuale nuk po gjejnë forcën për të krijuar një qeveri uniteti, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, atëherë duhet të gjendet një formulë tjetër politike dhe kushtetuese që e nxjerr vendin nga kjo përplasje.

Jo një zgjidhje partiake.

Jo një qeveri të një krahu kundër krahut tjetër.

Por, zgjidhja që propozoj unë është një qeveri profesionale dhe programore, me një kryeministër apartiak ose me profil të pranuar gjerësisht dhe me përbërje profesionale.

Një qeveri e tillë duhet të ketë mandat të qartë për zhbllokimin dhe funksionalizimin e shtetit, jo për konsolidimin e pushtetit të një partie.

Mandati i saj nuk duhet të përcaktohet vetëm me kohë, por mbi të gjitha me program.

Pra, nuk duhet të jetë një qeveri që vjen për të sunduar, por një qeveri që vjen për të kryer detyra të përcaktuara shtetërore dhe për ta përgatitur vendin për zgjedhje të reja.

Programi i saj duhet të përfshijë:

-reformën në drejtësi;
-reformën e sistemit zgjedhor;
-forcimin e mekanizmave të sundimit të ligjit dhe llogaridhënies institucionale;
-miratimin dhe vënien në zbatim të Ligjit për lustracionin;
-përmbylljen e dialogut me Serbinë në përputhje me interesat dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës;
-zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërkombëtare, përfshirë formalizimin dhe ratifikimin e kufirit ndërkombëtar Kosovë-Serbi, sipas procedurave kushtetuese dhe juridike;
-përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja të lira, demokratike dhe të ndershme;
-forcimin e mekanizmave të verifikimit të pasurisë dhe luftës kundër korrupsionit;
-trajtimin institucional të trashëgimisë së regjimeve totalitare dhe krimeve të komunizmit, përmes ligjit dhe institucioneve të drejtësisë.

Kjo qeveri nuk duhet ta përdorë mandatin për të konsoliduar pushtetin e një partie apo të një grupi politik.

Ajo duhet ta ketë vetëm një mision: ta rikthejë funksionalitetin e shtetit, ta reformojë sistemin dhe ta përgatisë vendin për zgjedhje të reja të lira dhe demokratike.

Partitë politike duhet ta kuptojnë se historia nuk i gjykon vetëm për atë se kush e fitoi një mandat apo një pozitë.

Ato do të gjykohen edhe për mënyrën se si e mbrojtën shtetin në momentet kur ai ishte në rrezik.

Nëse deputetët e Kuvendit, me vetëdije ose për interesa të ngushta partiake, duke e shkelur kushtetuten, e bllokojnë funksionimin e institucioneve dhe e çojnë vendin në një krizë të vazhdueshme, atëherë përgjegjësia e tyre është historike.
Ata duhet të ofrojnë një zgjidhje të jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme.

Por edhe në një situatë të tillë, zgjidhja duhet kërkuar brenda rendit kushtetues dhe jo përmes përmbysjes së tij.

Nuk kemi luftuar për Kosovën që sot të krijojmë një shtet që funksionon me logjikën e forcës.

Kemi luftuar për liri, demokraci dhe shtet funksional.

Prandaj, “dora e fortë” që i duhet Kosovës nuk duhet të jetë dora e armës mbi institucionet.

Duhet të jetë dora e fortë e ligjit, e Kushtetutës dhe e përgjegjësisë shtetërore.

Nëse politika nuk është në gjendje ta bëjë këtë përmes kompromisit, atëherë duhet të krijojë një mekanizëm politik e kushtetues që e bën të mundur një qeveri profesionale dhe programore.

Sepse alternativa tjetër është shumë më e rrezikshme:
përplasja qytetare;
destabilizimi;
ndërhyrja e jashtme;
dobësimi i shtetit;
dhe, në fund, rrezikimi i vetë pavarësisë së Kosovës.

Prandaj qëndrimi im mbetet i njëjtë:
Nuk jam në anën e asnjë partie. Jam në anën e Kushtetutës, të shtetit dhe të Republikës së Kosovës.

Mes imponimit të shumicës dhe bllokimit të opozitës duhet të ekzistojë një rrugë e tretë që është:

Kushtetuta.
Institucionet.
Kompromisi.
Qeveria profesionale dhe programore.
Dhe, në fund, zgjedhjet e reja demokratike.

Sepse Kosova nuk ka nevojë për një luftë tjetër.

Kosova ka nevojë të dëshmojë se di ta ndërtojë, ta funksionalizojë dhe ta mbrojë shtetin që u pagua me kaq shumë sakrificë.

Ky është momenti për ta mbrojtur shtetin, jo për ta vënë në provë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin…