AKB-ja: Bllokada institucionale rrit pasigurinë për bizneset dhe dëmton investimet në Kosovë

14 gusht 2026 | 11:09

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale dhe përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.

Sipas AKB-së, moskonstituimi i Kuvendit, mungesa e dialogut politik dhe pamundësia për të gjetur një zgjidhje institucionale po e thellojnë krizën dhe po dëmtojnë besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve në institucionet e Kosovës.

“Partia fituese ka përgjegjësinë e parë për krijimin e institucioneve, ndërsa opozita ka përgjegjësinë demokratike të marrë pjesë në funksionimin e Kuvendit, të kontrollojë, kritikojë dhe votojë sipas mandatit të saj. Opozita nuk është e obliguar të hyjë në qeveri, por është e obliguar të ushtrojë mandatin e saj parlamentar”, është thënë në reagimin e AKB-së, duke shtuar se çdo ditë e bllokimit institucional rrit pasigurinë për bizneset dhe investitorët.

“Kur dialogu politik mungon, kur rregullat kushtetuese dhe parlamentare nuk respektohen dhe kur debati politik kalon në përplasje fizike, atëherë cenohet vetë demokracia dhe funksionimi institucional i shtetit. Kuvendi është vendi i debatit, argumentit dhe votës, jo i konfrontimit fizik. Kosova nuk mund të mbahet peng nga inatet partiake. Institucionet nuk mund të funksionojnë pa dialog, ndërsa ekonomia nuk mund të presë. Çdo ditë e bllokimit institucional rrit pasigurinë për bizneset dhe investitorët, frenon vendimmarrjen ekonomike dhe dëmton imazhin e Kosovës si destinacion për investime”, është thënë më tutje në reagimin e AKB-së.

AKB-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në dialog, të respektojnë Kushtetutën dhe rregullat demokratike, ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë institucione funksionale. “Kosova ka nevojë për vota, jo për përleshje; për dialog, jo për bllokadë; për institucione, jo për krizë të përhershme. Interesi i shtetit, qytetarëve dhe ekonomisë duhet të jetë mbi çdo interes partiak”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj…