Bytyqi: Serbia nuk e njeh Kushtetutën, por që nuk e njeh edhe pushteti ynë, nuk e kam ditur
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ta bëjë konstituimin e Kuvendit dhe të vazhdojë me procedurat e tjera, duke akuzuar partinë në pushtet se po e saboton shtetin e Kosovës..
Bytyqi ka thënë se partitë opozitare do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Vetëvendosjes nëse, sipas saj, kjo parti vazhdon ta vonojë konstituimin e Kuvendit. Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të LV-së që të kthehen në Kuvend dhe të vazhdojnë punën.
“Ne si parti opozitare do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë presion nëse Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të sabotojë shtetin e Kosovës. Unë e di që Serbia nuk e njeh Kushtetutën tonë, por që edhe pushteti nuk e njeh, nuk e kemi ditur. Dhe, pavarësisht gjithë asaj që ne do të bëjmë, do të bëjmë thirrje që ta thërrasin Lëvizjen Vetëvendosje ta bëjë konstituimin e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Bytyqi i është referuar edhe qëndrimit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila mbrëmë ka deklaruar se nuk ka arsye për të vazhduar vonesat në konstituimin e Kuvendit.
“Mbrëmë e kemi parë që LDK-ja ka dalë me një konferencë dhe ka thënë që nuk ka asnjë arsye për ta vonuar më konstituimin e Kuvendit. Andaj, sot i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta bëjë konstituimin e Kuvendit dhe të vazhdojë procedurat e tjera. Vendi ynë ka shumë punë për të bërë, ka shumë tema për të diskutuar, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë. Andaj, sot i bëjmë edhe një herë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të mos shkojë nëpër zyra ilegale të rrijë aty, por të vijë në Kuvend, ta bëjë konstituimin dhe të vazhdojë punën tutje”, ka thënë ajo. /EO



