Haradinaj: Mungesa e unitetit politik po na dobëson si palë
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka folur për gjendjen politike në Kosovë dhe raportet e vendit me partnerët ndërkombëtarë.
I ftuar në emisionin “Adresa”, Haradinaj tha se Kosova ka qenë për një kohë të gjatë një prej vendeve më të privilegjuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me vendet e tjera, por sipas tij, mungesa e unitetit politik po e dobëson pozitën e Kosovës.
“Parametrat i kemi. Ne kemi qenë pala më e privilegjuar e Amerikës në raport me të gjithë. Mungesa jonë e punës të shtëpisë, mungesa e një bashkimi politik, pavarësisht ndarjeve politike që i kemi, vetvetiu të dobëson si palë”, deklaroi Haradinaj.
Ai përmendi edhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se vendi ka qenë pranë anëtarësimit, por tash, sipas tij, Kosova nuk po përmendet më në të njëjtën mënyrë.
“Shihe, merre Këshillin e Evropës. Kosova ka qenë në derë me u anëtarësu. Dobësimi ynë si palë tash nuk na përmendin më. E humbim fuqinë, të lënë pa ambasador, si kemi mbet. E kemi një ambasadore që është shumë e respektume. Ka ardhë gjenerali në Tiranë, po te ne jo”, tha Haradinaj.
Haradinaj i bëri këto komente teksa foli për zhvillimet politike në vend dhe pozitën e Kosovës në raport me partnerët e saj ndërkombëtarë.



