Limaj: Nëse shkohet në zgjedhje, është me heqë dorë nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe ish-komandant i UÇK-së, kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve në këtë periudhë. Sipas tij, një hap i tillë do të nënkuptonte shmangie të përgjegjësisë institucionale dhe braktisje të përpjekjeve për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Limaj paralajmëroi se zgjedhjet mund ta linin vendin për muaj të tërë pa institucione funksionale, ndërkohë që procesi gjyqësor do të vazhdonte. “Edhe gjashtë muaj nuk ke institucione këtu, ndërsa atje kryhen procedurat”, tha ai.
Ai kërkoi që institucionet e Kosovës të vazhdojnë punën dhe të ndërmarrin veprime konkrete për këtë çështje, duke përfshirë edhe shqyrtimin e mundësive për ndryshime ligjore.
Limaj bëri të ditur se deri tani as Qeveria dhe as partitë opozitare nuk e kanë kontaktuar për ndihmë, megjithëse ai është i gatshëm të kontribuojë me përvojën dhe idetë e tij. “Deri sot nuk më ka kontaktuar kush. Nëse nuk kanë nevojë, le të thonë”, deklaroi ai.



