Deputetët e PDK-së dhe Aleancës futen në Kuvend, ulen në vendet e tyre në sallën plenare
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës kanë hyrë në Kuvend dhe janë ulur në vendet e tyre në sallën plenare.
PDK-ja dje u ka bërë thirrje partive të tjera parlamentare që sot në orën 11:00 të shkojnë në Kuvend, pasi paraprakisht i kishte kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës.
Aleanca ka bërë të ditur se i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së PDK-së.
Me kërkesë të kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të LV-së, Albin Kurti, seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi më 6 korrik, është ndërprerë dy herë radhazi.
Kurti nuk e ka propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideron të padobishme zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të premten në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LV-ja, e ka caktuar për të shtunën vazhdimin e seancës konstituive, e cila më pas është ndërprerë prej tij në të njëjtën mënyrë si ditën kur ajo nisi.
Tani, LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues prej 60 ditësh. Ky afat fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.




