IKD-ja: Moskonstituimi i Kuvendit rrezikon 31.3 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së
Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit rrezikon zbatimin e pesë hapave reformues në fushën 2 të Planit të Rritjes. Vlera e tyre arrin në 31.3 milionë euro, ose 18.87 për qind të fondeve të përgjithshme të Planit të parapara deri në fund të vitit 2026.
“Fusha 2 mbulon tranzicionin e gjelbër dhe digjital, me fokus në energji, politika klimatike dhe shërbime publike digjitale. Hapat e paraparë përfshijnë ankandin për 150 MW energji nga era, përafrimin me Aktin për Infrastrukturën Gigabit dhe miratimin e Ligjit për Rregullatorin e Energjisë. Po ashtu, kërkohet plotësimi i kornizës nënligjore për zbatimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike dhe thjeshtimi i procedurave për projektet e energjisë së ripërtëritshme. Zbatimi i shumicës së këtyre hapave kërkon miratimin e legjislacionit dhe të akteve nënligjore, si dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Për këtë arsye, bllokada institucionale rrezikon drejtpërdrejt realizimin e tyre brenda afateve të përcaktuara”, ka njoftuar IKD-ja.
IKD-ja ka theksuar se Kuvendi mbetet jofunksional, ndërsa vazhdimi i bllokadës rrezikon përmbushjen e obligimeve të Kosovës karshi BE-së.
“Ndonëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, ky afat nuk është respektuar. Kuvendi mbetet jofunksional, ndërsa formimi dhe funksionalizimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 janë vënë në pikëpyetje. Vazhdimi i kësaj bllokade rrezikon përmbushjen e obligimeve të Kosovës dhe disbursimin e mbi 31 milionë eurove nga kjo fushë. Njëkohësisht, dëmton besueshmërinë e vendit në procesin e reformave dhe të integrimit evropian”, ka njoftuar IKD-ja.



