NPB: Përkundër sfidave, puna vazhdon
Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) SH.A. po vazhdon punën dhe angazhimin e saj në shërbim të qytetarëve.
Së fundmi, NPB ka bërë të ditur se llogaritë bankare të ndërmarrjes janë bllokuar në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë. Sipas ndërmarrjes, kjo situatë paraqet sfida serioze për funksionimin e saj dhe mund të ketë ndikim në realizimin e aktiviteteve me interes publik.
Megjithatë, nga NPB theksojnë se puna në terren nuk është ndalur. Ekipet e ndërmarrjes vazhdojnë çdo ditë angazhimin pranë qytetarëve, duke realizuar aktivitete që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës në lagjet e kryeqytetit.
Një nga aktivitetet që po zhvillohet aktualisht është vendosja e Rregullores së Rendit Shtëpiak në hyrjet e përbashkëta të objekteve banesore. Ky veprim synon të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e rendit, pastërtisë dhe respektit të ndërsjellë në hapësirat e përbashkëta, duke nxitur një kulturë më të mirë bashkëjetese.
“Përkundër sfidave, angazhimi ynë ndaj qytetarëve mbetet i pandryshuar. Puna vazhdon çdo ditë, me përkushtim dhe përgjegjësi”, bëjnë të ditur nga NPB.
Ndërmarrja rithekson se do të vazhdojë realizimin e aktiviteteve të planifikuara, duke mbetur e përkushtuar ndaj ofrimit të shërbimeve dhe përmirësimit të mjedisit të banimit për qytetarët.




