Petro Koçi sulmon ashpër Albin Kurtin: Po tenton ta “pushkatojë” politikisht UÇK-në
Zyrtari i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Petro Koçi, ka publikuar dy reagime të forta në rrjetet sociale, ku kritikon ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Në postimin e parë, Koçi shkruan se LVV dhe Kurti kanë tentuar prej kohësh të “pushkatojnë moralisht e politikisht” UÇK-në dhe figurat kryesore të saj, si Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e të tjerë.
“LVV me Kurtin në krye prej kohësh kanë dashur me e pushkatu moralisht e politikisht UÇK-në, Haradinajn, Thaçin etj. Po s’kanë mundur. Ai qafiri që guxoi të propozojë pushkatimin e Haradinajt nuk tha ndonjë gjë dhe aq të re. Këtë biznes e pati filluar Millosheviçi, prandaj kemi kaq shumë dëshmorë. Kurti doli në skenë më vonë. Shpirtlig dhe xheloz i vogël. Por UÇK-së, Haradinajt, Thaçit, Adem Jasharit dhe dëshmorëve ua merrni të keqen!”, shkruan Koçi.
Në një postim të dytë, ai komenton situatën politike në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si pjesë të një “skenari të Ballkanit të Kapur”, ndërsa akuzon Kurtin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç për një “tango të nacionalizmit populist”.
“Lojë kalamajsh në Kuvendin e Kosovës? Jo. Thjesht skenar i Ballkanit të Kapur. Nga mjeshtrat e populizmit. Vuçiçi bëri sikur e donte të hapur. E dinte mirë, me analizë apo informacion, që Albini do të ishte kundër. Rama e kuptoi me vonesë tangon e nacionalizmit populist Kurti–Vuçiç. Tango që s’ka nevojë për marrëveshje, vetëm për mirëkuptim nga larg”, shkruan ai.
Koçi shton se, sipas tij, “për populizëm Albini është kopje e Vuçiçit”, ndërsa votimet në Kosovë i konsideron “viktimë të populizmit mjeshtëror dhe nacionalizmit virtual”.
Në fund të reagimit, ai hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit të Kosovës, duke e cilësuar sjelljen e tij si “korrupsion politik”.
“Thonë që Albini është i pakorruptuar. Kjo lojë që po bën është mirëfilli korrupsion politik. Si rregull, korrupsioni financiar fshihet me profesionalizëm dhe zbulohet pas të vjelave. Por ai që shfaqet në fillim, sheshit, është korrupsioni politik”, përfundon Petro Koçi.



