Gashi: Duhet ta ruajmë status quo-në e re në veri, Kosovës i duhen maturi, strategji dhe përgjegjësi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës ka ndryshuar, por ka paralajmëruar se vendi tash përballet me një rrezik më të madh juridik dhe me një situatë më të ndjeshme në procesin e dialogut.
Sipas Gashit, “rreziku juridik është më i madh se më parë”.
“Kur thoja se gjendja faktike në veri ka ndryshuar dhe se detyra jonë është ta ruajmë këtë status quo të re, ta përmirësojmë dhe, njëkohësisht, të luftojmë për ta forcuar pozitën juridike të Kosovës, shumëkush më sulmonte, madje edhe nga brenda. Sot, rreziku juridik është më i madh se më parë. Bisedimet janë më të ndjeshme e më të rrezikshme. Ndërsa arkitektura e sigurisë botërore po ndryshon dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Prandaj, Gashi ka vlerësuar se Kosovës i duhen maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore.
“Duhet ta ruajmë atë që kemi arritur, ta forcojmë pozitën tonë juridike e ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, të jemi të përgatitur për çdo zhvillim”, ka shkruar ai.
Në këtë kontekst, Gashi ka përmendur edhe rëndësinë e raporteve me aleatët.
“Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik. Janë interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës”, ka theksuar ai.
“Në kohë pasigurie, shteti nuk udhëhiqet me emocione. Udhëhiqet me vizion, maturi dhe guxim. Prandaj, na duhen institucione të fuqishme, me vizion të qartë dhe program konkret politik, ekonomik dhe të sigurisë. Kosova nuk ka nevojë për improvizim. Ka nevojë për një shtet që mendon përpara, që parashikon rreziqet dhe që di t’i mbrojë interesat e saj”, ka shkruar Gashi.



