Hoxha: Do ta ndalojmë Kurtin të hyjë në zyrën e kryeministrit

17 gusht 2026 | 08:28

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie po qëndrojnë sërish para ndërtesës së Qeverisë, me qëllim që, sipas saj, të mos lejojnë hyrjen e Albin Kurtit në zyrën e kryeministrit.

Në një konferencë për media, Hoxha akuzoi Kurtin se po i ushtron funksionet në mënyrë ilegale dhe e cilësoi atë si “uzurpator”, së bashku me ministrat e tij.

“Ata qëndrojnë ilegalisht në pozicionet që i ushtrojnë edhe sot. Për këtë jemi mbledhur këtu, për të mos e lejuar hyrjen e tij në zyrat e Kryeministrisë”, tha Hoxha.

Ajo i bëri thirrje Kurtit që të paraqitet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij, duke theksuar se si fitues i zgjedhjeve duhet të propozojë emrin për kryetar të Qeverisë dhe të mundësojë themelimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

“Kurti duhet ta kuptojë se, në vend që ta sabotojë Kuvendin, duhet të vijë aty dhe ta konstituojë atë”, tha Hoxha.

Deputetja e PDK-së theksoi gjithashtu se asnjë parti politike, përfshirë Vetëvendosjen, nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës dhe ata që jetojnë jashtë Kosovës. Ai nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Hoxha paralajmëroi se PDK-ja do t’i drejtojë një kërkesë të re kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, që të thërrasë seancën e Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A ka qenë bukuria femërore gjithmonë e lidhur me elegancën,…