Zemaj: Qindra pacientë me kancer po detyrohen t’i blejnë vetë barnat
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave për terapitë e pacientëve me kancer, duke thënë se qindra prej tyre po detyrohen t’i blejnë vetë me paratë e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zemaj ka kritikuar menaxhimin e furnizimit me barna, duke theksuar se për këtë qëllim janë ndarë miliona euro përmes procedurave tenderuese.
“Qindra pacientë me kancer po detyrohen t’i blejnë vetë barnat për terapi, në mungesë të tyre, edhe pse për furnizim me barna janë dhënë miliona euro përmes tenderëve”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka akuzuar pushtetin për krijimin e, siç e ka quajtur, një monopoli në sektorin farmaceutik, nga i cili, sipas tij, përfitojnë kompani të caktuara.
Zemaj ka pretenduar gjithashtu se këto kompani janë të lidhura me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, duke kritikuar mungesën e barnave për pacientët.
“E kemi thënë vazhdimisht se ka para më shumë, por ka monopol të madh, nga i cili ka fitime të mëdha për kompani të veçanta farmaceutike të lidhura me pushtetin, direkt me udhëheqës në MSh, e ish vartës të këtij sektori jetik, ndërsa për pacientët ka shumë më pak barna dhe, sigurisht, kjo është barrë e rëndë për familjet e tyre e gjepin e varfër të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.
Më tutje, Zemaj e ka ndërlidhur këtë çështje edhe me krizën politike në vend, duke pretenduar se shumica parlamentare nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit, pasi, sipas tij, nuk dëshiron mbikëqyrje dhe llogaridhënie për mënyrën se si menaxhohen fondet dhe shërbimet publike.



