FIM dhe ATK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

19 gusht 2026 | 11:11

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) i Universitetit të Prishtinës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërlidhjen e ekspertizës akademike me nevojat profesionale të ATK-së.

Një numër i studentëve të FIM-it tashmë janë në përfundim të praktikës profesionale me pagesë në ATK.

Gjatë kësaj periudhe, studentët kanë dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjshmëri në kryerjen e detyrave që u janë besuar, duke krijuar një përvojë të vlefshme profesionale.

Marrëveshja parasheh bashkëpunim në fushën e ekspertizës inxhinierike, vlerësimit të aseteve dhe përgatitjes së raporteve teknike, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta profesionale, trajnuese dhe akademike.

Marrëveshja është nënshkruar nga prof. Mirlind Bruci, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, dhe Mentor Hyseni, drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar ndaj studentëve të FIM-it, drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hyseni, iu dhurua trofeu i FIM-it, i punuar nga studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Ky bashkëpunim përbën një mundësi të rëndësishme për studentët e FIM-it që njohuritë akademike t’i ndërlidhin me përvojën praktike, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve publike.

Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet FIM-it dhe institucioneve publike, duke krijuar mundësi për studentët, stafin akademik dhe institucionet që përmes dijes, ekspertizës dhe përvojës së përbashkët të kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe institucional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në javët e fundit të afatit kalimtar veror, emri i…