100 milionë euro për Lautaron, Barcelona synon kapitenin e Interit
Barcelona po shqyrton mundësinë e një oferte prej 100 milionë eurosh për kapitenin e Interit, Lautaro Martinez, pas refuzimit të Atletico Madridit për Julian Alvarezin.
Raportimet nga Spanja dhe Argjentina bëjnë të ditur se “Blaugranat” kanë zhvendosur vëmendjen te sulmuesi argjentinas, i cili prej kohësh është një nga objektivat e klubit katalanas.
Sipas TNT Sports Argentina, nëse Barcelona nuk arrin marrëveshje për Alvarezin, plani i klubit është të ofrojë 100 milionë euro për Lautaron.
“Nëse marrëveshja për Álvarezin nuk ecën përpara, plani i Barcelonës është të ofrojë 100 milionë për Lautaro Martínezin”, ka deklaruar gazetari sportiv Cristian Camino.
Interesi për Lautaron raportohet edhe në Spanjë, ku sulmuesi shihet si një kërkesë specifike e trajnerit Hansi Flick.
Barcelona është në kërkim të një qendërsulmuesi dhe Lautaro konsiderohet një nga alternativat kryesore për repartin ofensiv.
Megjithatë, për momentin nuk ka marrëveshje mes klubeve dhe oferta prej 100 milionë eurosh mbetet një skenar i raportuar nga mediat argjentinase.



