Arrestohet një person për posedim të dyshuar të narkotikëve në Brezovicë

20 gusht 2026 | 13:18

Një 27-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Brezovicë, nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.

Sipas policisë, më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, njësitet policore të Stacionit Policor në Shtërpcë kanë pranuar informacion për gjetjen e një substance të dyshuar narkotike në një vilë të pabanuar në Brezovicë.

Pas daljes në vendin e ngjarjes, gjatë kontrollit të të dyshuarit, mashkull dhe shtetas i Kosovës, janë gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale.

Nën dyshimin se mund të posedonte edhe substanca të tjera narkotike, policia ka kontrolluar edhe një vilë tjetër, ku është gjetur një sasi tjetër e dyshuar marihuane.

Si prova materiale janë konfiskuar gjithsej 1,063 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon celular.

Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, e cila ka marrë përsipër procedimin e mëtejshëm.

Po ashtu, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka…