Deliu-Kodra: Nuk do të takohemi më me Albin Kurtin

20 gusht 2026 | 11:53

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të zhvillojë më takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar takimet e deritanishme si “takime farse”.

Sipas saj, takimet nuk kanë sjellë rezultate konkrete, por vetëm kanë zvarritur procedurat dhe kanë afruar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Ne nuk kemi nevojë më që të takohemi me Albin Kurtin, sepse këto takime është parë mirëfilli që janë takime farse. Sepse po të kishte vullnet Albin Kurti, e para do ta konstituonte Kuvendin e Kosovës ashtu siç e obligon Rregullorja dhe Kushtetuta, dhe e dyta do të sillej në përpikmëri, në harmoni të plotë me rregullat dhe ligjet e Republikës”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ajo ka thënë se PDK-ja nuk sheh më arsye për takime të tjera me Kurtin, duke pretenduar se ato i kanë shërbyer vetëm zvarritjes së procesit institucional.

“Pra, ne nuk do të takohemi me Albin Kurtin, sepse këto takime tashmë është parë që janë takime që i shërbejnë vetëm zvarritjes së procedurave për ta çuar Kosovën, për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Përkundrazi, nuk janë takime që kanë prodhuar diçka, prandaj ne jemi të qartë, nuk do të takohemi më”, ka deklaruar ajo.

Deliu-Kodra ka kërkuar që procesi të rikthehet te konstituimi i Kuvendit dhe deputetëve t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.

“Por ftesa, kërkesa, thirrja jonë është që të kthehemi tek konstituimi. Të na mundësohet ta kryejmë detyrën tonë, të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe të mos bllokohemi nga, po e them, arroganca e Albin Kurtit”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit…