Artan Ramaj sulmohet nga policia gjatë protestës në Prishtinë, publikon pamjet
Protestuesi Artan Ramaj ka thënë se është sulmuar dhe është lënduar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbajtur sonte, duke pretenduar se ndaj tij është përdorur edhe sprej.
Ramaj ka treguar se rreth orës 21:50, pas pjesëmarrjes në protestë, ishte ulur me një mik familjar, Shasivar Haxhijaj, përballë Ministrisë së Kulturës, kur, sipas tij, turma e policëve në shesh është afruar.
Ai ka pretenduar se dy pjesëtarë të policisë kanë filluar ta godasin, fillimisht në kokë dhe duar, ndërsa më pas, sipas tij, e kanë rrëzuar në tokë dhe e kanë tërhequr zvarrë.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të goditesha nga disa policë të Albin Kurtit, jo nga Policia e Kosovës, teksa po mbroja vlerat tona dhe emrat e shenjtë të UÇK-së”, ka shkruar Ramaj në “Facebook”, duke ia bashkëngjitur edhe videon.
Ai ka thënë se gjatë përleshjes është lënduar në dorë, ndërsa më pas një pjesëtar i policisë, sipas tij, i ka hedhur sprej direkt në sy.
“Në atë moment humba kontrollin për një moment, edhe vetëdijen edhe telefonin”, ka shkruar Ramaj, duke shtuar se disa persona të pranishëm e kanë dërguar pranë Qendrës së Mjekësisë Familjare në Ulpianë, ku ka marrë ndihmën e parë dhe infuzion.
Ramaj ka pretenduar se protesta ka qenë e qetë dhe se situata është përshkallëzuar pas veprimeve të policisë.
“Protesta ishte e qetë dhe nuk pati sulm nga protestuesit. Ishte urdhri i policisë që, kohë pas kohe, të provokonte situatën dhe më pas filloi përdorimi i gazit lotsjellës dhe ndërhyrja për shpërndarjen e protestuesve”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se në protestë kishte edhe familje të dëshmorëve, nëna dhe fëmijë, ndërsa ka kundërshtuar, siç është shprehur, barazimin e protestës me veprime të dhunshme.
Ramaj ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta hetojnë rastin, të identifikojnë përgjegjësit dhe të kërkojnë përgjegjësi për personat që, sipas tij, kanë dhënë urdhër për përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve.
“Kjo protestë nuk i takon asnjë partie politike. Kjo protestë i takon asaj lufte, asaj sakrifice dhe atyre vlerave për të cilat shumë prej nesh kanë dhënë gjithçka. I takon tri shkronjave UÇK”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Ramaj ka shprehur respekt për dëshmorët, martirët, veteranët dhe invalidët e luftës, duke përsëritur mbështetjen e tij për vlerat e UÇK-së.



