Rama: Për herë të parë, Prishtina hap Qendrën Informative Turistike

20 gusht 2026 | 13:40

Prishtina do të ketë për herë të parë një Qendër Informative Turistike, e cila do të hapet të hënën e javës së ardhshme në Pallatin e Rinisë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije përmes një postimi në “Facebook” se qendra do t’u ofrojë vizitorëve informacione për aktivitetet në kryeqytet, vendet për t’u vizituar, aktivitetet që mund të zhvillohen dhe atraksionet turistike.

“E nisëm me krijimin e Drejtorisë së Turizmit në Kryeqytet. Tash po e hapim edhe derën e parë për krejt ata që vijnë me e vizituar Prishtinën. Këtu e gjeni çka po ndodh në kryeqytet, ku me shkuar, çka me vizituar, çka me provuar dhe krejt ato vende e rrëfime që e bëjnë Prishtinën tonën”, ka shkruar Rama.

Ai ka treguar se në qendër do të ketë edhe një kënd të veçantë me artin e q’ART, ku vizitorët mund të blejnë suvenire.

Qendra Informative Turistike do të hapet në Pallatin e Rinisë, ndërsa sipas Ramës, ajo do të nisë punën të hënën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj kritikave lidhur…