Shqipëria e para për fondet nga BE-ja, Kosova, Serbia dhe Bosnja ‘djegin’ paratë e Brukselit
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë integrimin në Bashkimin Evropian (BE), por miliardat e eurove të ofruara përmes Planit të Rritjes kanë nxjerrë në pah dallimet mes tyre. Nga gjashtë vendet aspirante për anëtarësim në BE, vetëm tri kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të konsiderueshme nga fondet, në bazë të përmbushjes së reformave.
Sipas një analize të publikuar nga “Euractiv”, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që kanë avancuar më shumë në shfrytëzimin e këtij mekanizmi, ndërsa Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë penguar nga krizat politike dhe problemet me reformat.
Shqipëria kryeson rajonin për fondet e përfituara. Deri në maj të vitit 2026, ajo ka marrë rreth 212 milionë euro, duke u vlerësuar si një prej vendeve që ka arritur të përmbushë më mirë kërkesat e Planit të Rritjes. Edhe pse politika shqiptare mbetet e polarizuar, shumica e qëndrueshme qeverisëse i ka mundësuar vendit të avancojë me reformat e kërkuara nga Brukseli.
Mali i Zi, i cili konsiderohet pretendenti më i avancuar për anëtarësim në BE, ka përfituar rreth 91 milionë euro. Vendi vlerësohet për kompromiset e arritura në skenën e brendshme politike, megjithëse mbetet shqetësues hendeku mes progresit të deklaruar dhe atij që mund të verifikohet nga institucionet evropiane, veçanërisht në drejtësi dhe sundimin e ligjit.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka përfituar rreth 141 milionë euro. Megjithatë, ngërçi politik rreth ndryshimeve kushtetuese dhe procesit të integrimit evropian vazhdon të paraqesë pengesë për avancimin e mëtejshëm të vendit drejt BE-së.
Në anën tjetër, Kosova është një prej shembujve më të theksuar të pasojave që mund të ketë kriza politike në përfitimin e fondeve evropiane.
Kriza e gjatë politike, zgjedhjet e njëpasnjëshme, mungesa e konsensusit dhe vështirësitë në krijimin e institucioneve funksionale kanë ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë e Kosovës për të përmbushur kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Deri në maj të vitit 2026, Kosova ka përfituar vetëm 61 milionë euro, ndërsa BE-ja ka paralajmëruar se vazhdimi i krizës mund të rrezikojë fondet e tjera të parapara për vendin.
Situatë të vështirë ka edhe Bosnja e Hercegovina, e cila nuk ka arritur të realizojë reformat e kërkuara dhe, për këtë arsye, nuk ka përfituar asnjë euro nga Plani i Rritjes.
Ndërsa Serbia, pavarësisht se ka një shumicë të qëndrueshme parlamentare, është përballur me kritika të vazhdueshme nga BE-ja për reformat në drejtësi dhe çështjet që lidhen me sundimin e ligjit. Deri në maj të vitit 2026, Serbia kishte përfituar rreth 168 milionë euro, duke u renditur e dyta pas Shqipërisë, por fondet e saj janë pezulluar për shkak të mospërputhjeve me kërkesat e Brukselit.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh dhe është paraparë të zbatohet deri në dhjetor të vitit 2027. Përfitimi nga këto fonde është i lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE-ja.
Megjithatë, edhe vendet që kanë avancuar më shumë ende nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht fondet në dispozicion. Shqipëria, e cila kryeson rajonin, ka përfituar rreth 23 për qind të shumës së paraparë prej rreth 922 milionë eurosh, ndërsa Kosova ka arritur të përfitojë vetëm rreth 7 për qind të fondeve të saj.
Koha po ngushtohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Me përfundimin e Planit të Rritjes në dhjetor 2027, vendet që mbeten të bllokuara nga krizat politike dhe që nuk arrijnë të zbatojnë reformat rrezikojnë të humbin përfundimisht një pjesë të rëndësishme të financimit evropian.
Në këtë garë, Shqipëria aktualisht është në krye, ndërsa Kosova përballet me presionin që të kapërcejë sa më shpejt ngërçin politik dhe të krijojë kushtet për të përfituar nga fondet që i janë vënë në dispozicion. /Abcnews.al



