Çitaku përkujton Bajram Rexhepin: Ia kemi një kafe borxh njëri-tjetrit
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka përkujtuar ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Çitaku ka ndarë kujtime personale nga miqësia dhe bashkëpunimi i saj me Rexhepin, duke thënë se ai për të kishte qenë më shumë se një koleg.
“Për mua ka qenë më shumë se koleg, ka qenë mik i vërtetë. Ne kemi qenë ekip”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kujtuar edhe debatet dhe ngacmimet që kishin mes vete për futbollin, pasi Bajram Rexhepi ishte tifoz i Real Madridit, ndërsa Çitaku e Barcelonës.
Çitaku ka veçuar gjithashtu mbështetjen që, sipas saj, Rexhepi i kishte dhënë gjatë angazhimit të saj institucional, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave.
“Vlorë, udhërrëfyesin do ta pranosh ti. Ti je e re. Unë jam në perëndim të karrierës. Mua më ke krah, më ke ushtar, por në ballë do të jesh ti”, ka cituar ajo fjalët e ish-kryeministrit.
Në fund të shkrimit, Çitaku ka shprehur dhimbjen për një kafe që nuk arritën ta pinin së bashku para se Bajram Rexhepi të pësonte sulm në tru.
“Sot do të doja të isha në Prishtinë. Ia kemi një kafe borxh njëri-tjetrit”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka thënë se ish-kryeministrin Bajram Rexhepi do ta kujtojë gjithmonë.



