Gucati kritikon qeverinë Kurti: Asnjë kërkesë e veteranëve të UÇK-së nuk është realizuar

21 gusht 2026 | 12:25

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka kritikuar qeverinë Kurti për, siç ka thënë, mungesën e bashkëpunimit dhe mosrealizimin e kërkesave të veteranëve të luftës.

Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) dhe OVLUÇK-së, Gucati ka thënë se organizata që drejton nuk ka pasur takime apo diskutime me Qeverinë në detyrë.

Ai është ndalur veçanërisht te çështja e trajtimit shëndetësor të veteranëve, duke theksuar se aktualisht 67 prej tyre janë të prekur nga kanceri, ndërsa 24 po marrin trajtim në Turqi. Sipas tij, një pjesë e veteranëve po trajtohen edhe në vende të tjera evropiane dhe në Kosovë.

Gucati ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë obligim ligjor të kujdesen për kategoritë e dala nga lufta, përfshirë veteranët dhe invalidët e luftës.

Në kuadër të memorandumit të nënshkruar, OHTK-ja ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur OVLUÇK-në në fushën e hotelierisë dhe turizmit.

Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, ka bërë të ditur se qëllimi i marrëveshjes është që, brenda mundësive të odës, t’u ofrohet mbështetje veteranëve dhe aktiviteteve të tyre.

Ndërkohë, nënkryetari i OVLUÇK-së, Gazmend Syla, ka bërë me dije se javën e ardhshme do të mblidhet kryesia e organizatës, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejmë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.

Syla ka theksuar se veteranët do të diskutojnë për veprimet që do të ndërmarrin në prag të vendimmarrjes së Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me një rrjet të gjerë pikash të shpërndara në shumë…