Gazetari kroat e promovon Kosovën si vend tolerant: U zgjodh presidente një katolike në një vend me 93.5 për qind myslimanë
Gazetari kroat Zoran Kusovac ka shkruar për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës së Kosovës, duke e paraqitur këtë zhvillim si dëshmi të tolerancës fetare në vend.
Kusovac ka thënë se në Kosovë nuk ka pasur teori konspirative kundër islamit, për ndonjë komplot të Vatikanit apo për një Perëndim që po minon fenë e shumicës, ndonëse presidentja e re e shtetit është katolike.
Ai ka ngritur më pas një paralele me Serbinë, duke pyetur nëse dikush mund ta imagjinojë një vend me shumicë dërrmuese ortodokse duke zgjedhur një president mysliman.
“Kosova (93,5% myslimane) zgjedh katoliken Justina Shiroka-Pula si Presidente. Askush nuk e vë fare në dyshim këtë, as nuk flet për teori konspirative kundër Islamit, për ndonjë komplot të Vatikanit apo për Perëndimin që po minon fenë e shumicës. A mund ta imagjinojë dikush Serbinë (81,1% ortodokse) duke zgjedhur një president mysliman? Për shembull, Suljo Ugljanin-in apo Shaip Kamberin?”, ka shkruar ai.
Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, rreth 93.5 për qind e popullsisë është deklaruar myslimane, ndërsa Justina Shiroka-Pula, e zgjedhur presidente më 7 tetor, është katolike.
Megjithatë, krahasimi i bërë nga Kusovac mund të konsiderohet i diskutueshëm, pasi Justina Shiroka-Pula është shqiptare e besimit katolik, ndërsa Shaip Kamberi dhe Suljo Ugljanin janë pjesëtarë të komuniteteve shqiptare dhe boshnjake në Serbi.
Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Shiroka-Pulën presidente me 81 vota, ndërsa ajo më pas ka dhënë betimin si presidente e Republikës së Kosovës.



