Kadri Xhemajli dënohet me gjashtë muaj burgim efektiv për kanosjen e Kurtit
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, e ka dënuar Kadri Xhemajlin me gjashtë muaj burgim efektiv për kanosjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Xhemajli e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai më 22 tetor 2025, përmes një komenti të publikuar në rrjetin social “Facebook”, kishte kanosur kryeministrin Kurti me privim nga jeta.
Paraprakisht, gjykata kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ishte rekomanduar që Xhemajli të dënohej me një vit burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej tre vjetësh.
Megjithatë, gjykata nuk e ka aprovuar rekomandimin e palëve sa i përket lartësisë së dënimit dhe ka vendosur që Xhemajli të dënohet me gjashtë muaj burgim efektiv.
Gjykata ka njoftuar se i akuzuari ka të drejtë ankese lidhur me lartësinë e dënimit.
Sipas aktakuzës, Kadri Xhemajli akuzohej për veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi



